Nëse nuk ju pëlqen mënyra se si lythi ndikon në dukjen tuaj, ose nëse ndodhet në një vend që është shpesh në kontakt me veshjet apo bizhuteritë dhe kështu acarohet, mund të bëhet heqja e tij
Lythat janë rritje të zakonshme në lëkurë dhe secili prej nesh ka mesatarisht 10 deri në 40 lytha. Shumica e tyre janë të padëmshëm dhe nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Nëse lythi nuk është kanceroz, nuk keni nevojë ta hiqni nëse nuk ju shqetëson.
Kontrolli i lythave është një procedurë rutinë parandaluese shëndetësore që kryhet një herë në vit pas moshës 12-vjeçare. Në Ordinancën e dermatologjisë bëhet ekzaminimi i lëkurës së të gjithë trupit, nga koka deri te duart dhe këmbët. Lëkura ekzaminohet me dermoskop. Ekzaminohen të gjitha ndryshimet e lëkurës, duke i kushtuar vëmendje të veçantë ndryshimeve të pigmentuara. Ndryshimet e pigmentuara që vërejmë me dermoskop mund të jenë kafe të errëta ose më pak të errëta, të kuqe, blu ose të bardhë.
Është e nevojshme të mbrohen zonat me lytha nga ekspozimi ndaj diellit
Përveç lythave me të cilët kemi lindur, ka edhe nga lytha që shfaqen me kalimin e kohës si në zonat e mbuluara, ashtu edhe në ato pjesë të trupit që janë të ekspozuara ndaj rrezeve të diellit. Prandaj është shumë e rëndësishme të mbrohen rajonet ku ka lytha. Disa lytha melanocitare shfaqen që në lindje dhe në moshë të hershme, në të ashtuquajturat lytha të lindur ose kongjenital. Disa lytha zhvillohen gjatë gjithë jetës dhe mund të gjenden në zonat e lëkurës të ekspozuara ndaj diellit dhe në zonat e mbuluara. Edhe pse rrezet e diellit nuk janë i vetmi faktor në transformimin malinj të nishaneve melanocitare, nishanet gjithsesi duhet të mbrohen nga ekspozimi i tepërt ndaj rrezeve UVA, UVB, UVC, si dhe ndaj rrezeve infra të kuqe të spektrit të diellit, transmeton Telegrafi.
Ndryshimet në ngjyrë, madhësi apo simetri janë shenjë alarmi për vizitë te dermatologu
Është e rëndësishme që çdo ndryshim në nishan të vërehet me kohë dhe të kontaktohet dermatologu, i cili do ta shqyrtojë në mënyrë të hollësishme dhe do të vlerësojë nëse bëhet fjalë për një ndryshim malinj.
Ndryshimet malinje në nishan shfaqen si ndryshime në formë asimetrike, në karakteristikat e skajeve të nishanit që bëhen të theksuara apo të çrregullta, ndryshime në ngjyrë (shfaqja e të kuqes, bardhës dhe kaltrës mbi bazën kafe të nishanit melanocitik), paraqitja e ngritjes mbi sipërfaqen e nishanit, rritja e nishanit në një njësi kohe (A, B, C, D, E).
Përveç këtyre kritereve klinike, ekzistojnë edhe disa kritere dermatoskopike që tregojnë se një nishan ka tendencë për të kaluar në formë malinje, pra është më pak ose më shumë displastik.
Ndryshimet malinje mund të paraqiten në nishanet ekzistuese melanocitike. Duhet pasur parasysh edhe faktin që melanoma malinje mund të zhvillohet në rreth 30 për qind të rasteve mbi ndryshime të reja që nga fillimi kanë potencial malinj. Prandaj këshillohet kontrolli rutinë i nishaneve një herë në vit edhe për ata pacientë tek të cilët në kontrollin e mëparshëm nuk janë vërejtur shenja në nishanet ekzistuese.
Statistikat tregojnë se më të rrezikshëm janë nishanet në gjymtyrët e poshtme te gratë dhe në trungun e trupit: në kraharor dhe shpinë te meshkujt. Gjithmonë duhet të kontrollohet edhe lëkura në shuplaka dhe shputat e këmbëve për praninë e nevuseve akrale, si dhe nishanet në fytyrë, qafë, veshë dhe kokë. Duhet kontrolluar edhe për praninë e mundshme të nishaneve në regjionin gjenital.
Kur vërehet një nishan me shenja atipie (nishan displastik), ai hiqet me rrugë kirurgjikale dhe dërgohet për analizë histopatologjike, pavarësisht nga stina e vitit.
Në disa raste shqyrtohet edhe nyja limfatike regjional. Vëzhgohet thellësia e përhapjes së melanociteve sipas Breslow-it dhe Clark-ut si dhe potenciali malinj i qelizave individuale. Nëse pacienti ka numër të madh nishanesh displastike (i ashtuquajturi sindrom i nevusit displastik), rekomandohet që pacienti të dërgohet për skanim me MoleMax apo FotoFinder për të ndjekur lokalizimin dhe ndryshimet në njësi kohe të të gjithë nishaneve ekzistues.
Lëkura e pacientit me numër më të madh nishanesh potencialisht displastike duhet të mbrohet me rroba që kanë faktor mbrojtës SPF, me kremra me bllokues dielli dhe me fotombrojtje orale.
Edhe pasi të jenë hequr nishanet, është e rëndësishme të monitorohet vendi ku ka qenë nishani.
Gjatë kontrollit rutinë një herë në vit ndiqen edhe ndryshimet e mundshme në plagët ku janë hequr nishanet. Ndonjëherë paraqiten edhe të ashtuquajturat ndryshime rekurente, pra shfaqja e përsëritur e nishanit.
Si kryhet heqja e nishanit?
Dermatologu zakonisht mund të heqë një nishan gjatë një vizite të zakonshme në ordinancë. Ndonjëherë nevojitet një vizitë shtesë për të përfunduar heqjen e nishanit, shkruan portali Healthline.
Për heqjen e nishanit përdoren dy lloje kryesore të procedurave kirurgjikale:
Ftohja – Në këtë procedurë përdoret një sasi e vogël azoti i lëngshëm për të hequr nishanin jo-kancerogjen.
Djegia – Kjo procedurë përdor rrymë elektrike për të djegur shtresat e sipërme të nishanit jo-kancerogjen. Mund të nevojiten më shumë se një seancë për ta përfunduar heqjen.
Heqja sipërfaqësore – Kjo procedurë përfshin përdorimin e një bisturie për të larguar nishanin nga sipërfaqja e lëkurës.
Ekscizioni – Kjo procedurë shkon më thellë se sipërfaqja e lëkurës për të prerë tërësisht nishanin dhe për të ribashkuar lëkurën. Kjo metodë zakonisht përdoret kur dyshohet se nishani është kancerogjen.
Këshillohuni me dermatologun nëse dëshironi të hiqni një nishan që ju pengon. Dhe patjetër bëni kontroll nëse keni vënë re ndryshime në nishane, pasi ato mund të jenë shenjë e kancerit të lëkurës. Mjeku mund të kryejë një biopsi nëse ka nevojë, që do të thotë se merret një mostër e vogël e nishanit për t’u analizuar në mikroskop. /Telegrafi/