Analistët mendojnë se në Kosovë po vazhdon trendi i orientuar te përkthimet e ligjeve ose marrja e tyre si copy-paste.
Profesori universitar, Afrim Hoti, tha se shtetet që janë treguar të suksesshme janë ato raste kur ligjet e hartuara i kanë bërë në përputhje me rrethanat e veta.
“Definitivisht mendoj që është shumë e nevojshme që të bëhet përafrimi dhe harmonizimi i legjislacionit të Kosovës me atë të Bashkimit Evropian. Kjo nuk është detyrë vetëm e Kosovës por është detyrë për secilin shtet i cili synon që të jetë pjesë e BE-së. Çështja e hartimi të ligjeve është çështje në vete, sikundër që zbatimi i tyre është po ashtu çështje në vete”, tha Hoti.
Sipas Hotit, shtetet mund të shfrytëzojnë ose të marrin modele të akteve ligjore anëtare të BE-së, por se në secilin rast hartimi i akteve juridike duhet të mbështeten në rrethanat që kanë ato specifikisht.
“Është obligim i shtetit para se të jetë pjesë e BE-së të bëjë harmonizimin e legjislacionit. Mendoj se në këtë drejtim është shënuar progres i madh, sidoqoftë ka shumë rrugë përpara. Trendi aktual siç duket është i orientuar tek përkthimet e ligjeve dhe që fatkeqësisht në masë të madhe, i shoh që ligjet tona nuk i marrin për bazë rrethanat që i ka Kosova”, tha ai.
Njëjtë mendon edhe profesori Dorajet Imeri. Ai thotë se harmonizimi i këtyre ligjeve është kriter për vendet që aspirojnë të jenë anëtare të BE-së.
“Ne kemi një Komision Parlamentar që është për Legjislacion që është pjesë e pandashme dhe Komisioni për integrim Evropian, që është permanent në Kuvendin e Kosovës, që nënkupton se secila nismë legjislative në Kuvend duhet të kalojë edhe përmes Komisionit Evropian. Problemi është që ne nuk po arrijmë t’i impelementojmë ato dhe nuk po japin efektet e duhura”, u shpreh Imeri./EO/