Veriu i vendit edhe njëherë u dëshmua të shtunën si një zonë e pasigurtë për policët.
Përderisa po vendosnin një barkë patrulluese në Liqenin e Ujmanit në Zubin Potok, 10 plumba u shkrepën në drejtim të policëve kufitarë.
Përmes një njoftimi policia bëri të ditur se nuk ka të lënduar e se hetimet po vazhdojnë.
“Njësia policore ka njoftuar se në drejtim të tyre ka pasur të shtëna me armë. Kanë qenë afërsisht 10 të shtëna me armë zjarri. Të shtënat kanë qenë të njëpasnjëshme, nga pjesa tjetër e liqenit dhe kanë goditur afër barkës së policisë. Nga këto të shtëna nuk ka persona të lënduar”, thuhet në komunikatën e Policisë.
Pas sulmit ka reaguar kryeministri Albin Kurti i cili ka thënë se bandat kriminale në veri po e barrikadojnë veten.
“Fatmirësisht i shpëtuam viktimave dhe tani po zhvillohet një hetim i plotë. Sot, rrugët janë pa barrikada. Por bandat kriminale vazhdojnë ta barrikadojnë veten kundër agjencive tona të zbatimit të ligjit dhe luftës sonë kundër krimit të organizuar”, ka thënë Kurti.
Teksa ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla fajin për sulmin ia la hedhur atyre që i ka quajtur grupe ilegale serbe.
“Grupet ilegale serbe të cilat tashmë po mbrohen dhe mbështeten edhe publikisht nga struktura të caktuara serbe, po bëjnë përpjekje maksimale të na pengojnë apo ndalojnë të kryejmë detyrën tonë brenda vendit tonë”, është shprehur Sveçla.
Njohësi i çështjeve të sigurisë, Avni Islami ka thënë se qëllimi i këtyre sulmeve është destabilizimi i vendit me qëllim të miratimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Policia e Kosovës u sulmua me armë në veri edhe në natën e 31 korrikut, disa orë para fillimit të reciprocitetit ndaj letërnjoftimeve e targave serbe, masë kjo që u shtye për më 1 shtator.
Kronika e realizuar nga gazetari Gojart Jashari.