Kërkesa e tyre, tashmë ka kundërshtarë të fuqishëm.
Hiç më pak se i dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ua bëri të qartë se nuk mund të ketë asociacion që bie në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, ashtu siç po kërkon pala serbe.
“Ne kemi qenë të qartë se palët janë pajtuar më herët për asociacionin, prandaj duhet të diskutohet. Megjithatë, asociacioni nuk duhet të ndërhyjë, nuk duhet të bie në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, nuk duhet të krijojë probleme në funksionalitetin e Kosovës dhe nuk duhet të jetë shtet brenda një shteti”, tha Escobar.
Po në të njëjtën ditë, Serbia mori goditje edhe nga Gjermania.
Retorikë e ashpër dhe akuza mes njëri-tjetrit, patën ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, dhe i ashtuquajturi shef i zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviq.
Petkoviq e akuzoi ambasadorin gjerman si gënjeshtar, teksa ky i fundit i dha të drejtë Kosovës për shtyrjen e vendimeve për targat.
“Përfaqësuesi gjerman në Prishtinë nuk po thotë të vërtetën! Si ndodh që shkelja e marrëveshjes dhe lëvizjet e dhunshme të Albin Kurti të jenë legjitime? Sa është legjitime heqja e targave? Si ndodh që përfaqësuesi gjerman në Prishtinë heshti për këtë?”, deklaroi Petkoviq.
I menjëhershëm ishte reagimi nga ambasadori gjerman.
“I dashur, z. Petkovic, po, të gjitha marrëveshjet e Brukselit duhet të zbatohen. Për informatën tuaj: Kam deklaruar shumë herë se krijimi i Asociacionit të Komunave Serbe duhet të adresohet, madje edhe në takimet biletareale me qeverinë e Kosovës në baza të rregullta”, deklaroi ambasadori Rohde.
E njohësi i rrethanave politike Anton Berisha po mendon se kjo qasje e SHBA-së vjen pasi kryeministri Kurti për këto tema ka diskutuar edhe në takimin me sekretarin e Shtetit Blinken.
Megjithatë ai kritikon Qeverinë për ulje të nivelit të dialogut në Bruksel. Pasi thotë se është dashur të diskutohet vetëm për arritjen e marrëveshjes finale.
Për këto dy tema dhe për disa të tjera, të enjten e 18 gushtit, kryeministri kosovar, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuiq, do të ulen në takimin e radhës në Bruksel.
Pjesëmarrja në takim është konfirmuar nga të dy palët.
Raporti i gazetarit Arton Rama.







