“Barrikadat e vendosura nga strukturat ilegale serbe mbrëmë, 15 minuta pas lëshimit të sistemit të alarmit dhe të shpërndara në 9 lokacione të ndryshme në veriun e vendit, tashmë janë larguar plotësisht nga vetë ata. Liria e lëvizjes është e plotë dhe pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak janë të hapura për qytetarët”, ka shkruar Sveçla në “Facebook”.
Ai madje ka konfirmuar edhe sulmet e sotme ndaj zyrtarëve policorë nga grupe të maskuara, për të cilat thotë se udhëhiqen nga Beogradi.
“Grupe të maskuara e me armë të gjata të cilët udhëhiqen nga Beogradi dhe të ardhur nga Serbia, kanë filluar sulmet ndaj qytetarëve të vendit duke i rrahur brutalisht dhe të njëjtit kanë gjuajtur sot edhe ndaj zyrtarëve policorë me qëllim të vrasjes së tyre. Këto sulme ishin të përgatitura që një kohë të gjatë e këto përgatitje kulmuan nga takimet në Beograd e në Rashkë”, ka shtuar Sveçla.
Shkrimi i plotë i Sveçlës:
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,
Barrikadat e vendosura nga strukturat ilegale serbe mbrëmë, 15 minuta pas lëshimit të sistemit të alarmit dhe të shpërndara në 9 lokacione të ndryshme në veriun e vendit, tashmë janë larguar plotësisht nga vetë ata.
Liria e lëvizjes është e plotë dhe pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak janë të hapura për qytetarët.
Grupe të maskuara e me armë të gjata të cilët udhëhiqen nga Beogradi dhe të ardhur nga Serbia, kanë filluar sulmet ndaj qytetarëve të vendit duke i rrahur brutalisht dhe të njëjtit kanë gjuajtur sot edhe ndaj zyrtarëve policorë me qëllim të vrasjes së tyre.
Këto sulme ishin të përgatitura që një kohë të gjatë e këto përgatitje kulmuan nga takimet në Beograd e në Rashkë. Sulmet e tilla nuk i kontribuojnë stabilitetit të vendeve tona dhe rajonit sepse mbi të gjitha Qeveria jonë ka marrë dy vendime duke respektuar ligjet vendore dhe ndërkombëtare. Siç jemi zotuar edhe mbrëmë, si Qeveri e Republikës së Kosovës, me largimin e barrikadave dhe sigurimin e lirisë së lëvizjes për qytetarët tanë, ne e zhvendosëm zbatimin e vendimeve për datën 1 shtator 2022, me qëllim të ruajtjes së stabilitetit në vend dhe rajon.
Krijimi i panikut, shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm, lëvizja e personave të armatosur e të maskuar brenda vendit, rrahja brutale e qytetarëve tanë si dhe tentim vrasja e zyrtarëve tanë policorë janë veprime të papranueshme dhe në këtë drejtim, janë duke punuar intensivisht hetimet dhe drejtësia padyshim do të ndodhë. Përdorimi i grupeve të tilla kriminale për destabilizim të vendit nga pala serbe nuk e rrezikon vetëm vendin tonë, dhe kjo bëhet edhe më serioze kur Serbia e cila përmes grupeve të tilla synon të arrijë qëllimet e veta merr mbështetje të plotë dhe tashmë publike nga Moska.
Përveç sulmeve ndaj qytetarëve, dëmeve materiale e tentim vrasjeve ndaj zyrtarëve policorë, ne jemi ballafaquar mbrëmë edhe me sulme kibernetike të cilat kanë tentuar të pengojnë funksionimin shtetëror. Në këtë drejtim, ne kemi marrë të gjitha masat e nevojshme dhe sistemi është mbrojtur suksesshëm.
Në kronologjinë e trazirave me të cilat u ballafaquam dje, nuk mund të mos ngre shqetësimin e madh për plasimin e informacioneve të pakonfirmuara dhe të pavërteta. Lajmet të cilat janë publikuar mbrëmë kanë cënuar rëndë zhvillimin e operacioneve policore, jetën dhe sigurinë e zyrtarëve policorë dhe në veçanti, informacioni mbi plagosjen e zyrtarit policor ka shkaktuar huti dhe shqetësim të arsyeshëm tek të gjithë familjarët e zyrtarëve policorë të cilët ishin në krye të detyrës në atë kohë. Në të gjitha thirrjet tona si Qeveri dhe Ministri e Punëve të Brendshme kemi ofruar bashkëpunim dhe informata në kohë reale.
Gjej rastin të falënderoj bashkëpunëtorët tanë ndërkombëtar për kuptimin e drejtë të situatës dhe për qëndrimin e tyre konstruktiv. Ne mbesim të përkushtuar për stabilitet dhe vendimi ynë i sotëm tashmë e dëshmon këtë dhe në të njejtën kohë me të gjitha mekanizmat tanë shtetëror do të angazhohemi brenda misioneve që na obligon Kushtetuta jonë.
Veprimet tona si shtet janë tërësisht ligjore dhe brenda të gjithë mekanizmave tanë ne do të veprojmë në zbatim të plotë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, pra, sovraniteti dhe integriteti territorial i vendit tonë janë dhe do të mbeten të pacënueshme.
Dua edhe një herë të përgëzoj të gjithë zyrtarët policorë të angazhuar në këtë operacion, të cilët edhe në këto momente janë duke kryer detyrat me përkushtim dhe profesionalizëm në vendosjen e rendit dhe ofrimin e sigurisë për të gjithë qytetarët e Republikës sonë pa dallim.