Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës të publikojë listën e 800 kilometrave të rrugëve që kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se janë ndërtuar gjatë mandatit të tij qeverisës.
Përmes një postimi në Facebook, Bajrami ka vënë në pikëpyetje shifrat e prezantuara nga Qeveria, duke kritikuar edhe mënyrën se si janë paraqitur investimet dhe projektet infrastrukturore në raportin e saj.
Ajo ka përmendur rrugën Kijevë–Zahaq, për të cilën, sipas saj, Qeveria ka paraqitur 150 milionë euro si kursime, si dhe 200 milionë euro të parapara për hekurudhën Hani i Elezit–Leshak.
“150 milionë euro ‘kursime’ për rrugën Kijevë–Zahaq. Qeveria thotë se i ka kursyer duke i anuluar shpronësimet. Po rruga ku është? Normal se ke kursy për rrugën që nuk e ke kry. Kur të kryhet dil trego sa ka kushtu”, ka shkruar Bajrami.
Ajo ka kritikuar edhe paraqitjen e 51.5 milionë eurove për 19 kontrata të mirëmbajtjes së rrugëve, duke thënë se gjendja në terren nuk përputhet me sukseset e pretenduara.
Ndërkaq, lidhur me 800 kilometrat e rrugëve, Bajrami i ka kërkuar Qeverisë të publikojë të dhëna të detajuara për secilin projekt.
“Publikojeni listën, rrugë për rrugë, me kilometrat, datën e përfundimit dhe kush e ka financuar secilën. Të shohim sa kilometra i ka ndërtuar Qeveria, sa janë bashkëfinancuar dhe sa i kanë shtruar vetë komunat”, ka deklaruar ajo.







