Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka përkujtuar heroin kombëtar Isa Boletini në Ditën e Flamurit, nga vendlindja e tij në Boletin.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Gërvalla ka vlerësuar kontributin historik të Isa Boletinit në përpjekjet për liri, pavarësi dhe bashkim kombëtar.
Ajo ka rikujtuar thënien e njohur të Boletinit: “Unë jam mirë kur asht mirë Shypnija”, duke theksuar se këto fjalë pasqyrojnë përkushtimin e tij ndaj atdheut.
Gërvalla ka përmendur gjithashtu rolin e Isa Boletinit në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, duke theksuar se më 29 nëntor 1912 ai mbërriti në Vlorë së bashku me qindra luftëtarë nga Kosova, për të mbështetur Qeverinë e Ismail Qemalit dhe shtetin e saposhpallur shqiptar.
Në postimin e saj, ministrja ka rikujtuar edhe angazhimin e Boletinit në Evropë, krahas Ismail Qemalit dhe Luigj Gurakuqit, për mbrojtjen e çështjes shqiptare dhe kundërshtimin e copëtimit të trojeve shqiptare.
Në fund të mesazhit, Gërvalla ka shprehur respektin për figurën dhe veprën e heroit kombëtar, duke përfunduar me fjalët: “Lavdi e përjetshme Bacës Isë dhe veprës së tij kombëtare”./teve1.info/






