Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka informuar mbi situatën shëndetësore të personave të lënduar gjatë protestës së sotme në Tiranë, bazuar në të dhënat paraprake nga strukturat spitalore.
Sipas njoftimit, në Spitalin Universitar të Traumës janë paraqitur tetë persona të lënduar, mes tyre një efektiv policie, dy përfaqësues të medias, njëri prej të cilëve shtetase e huaj, si dhe pesë protestues.
Të gjithë paraqiten të ndërgjegjshëm dhe në gjendje shëndetësore të qëndrueshme, ndërsa po marrin trajtim mjekësor në shërbimin e urgjencës.
Ndërkohë, ekipet e Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore kanë trajtuar në vendngjarje tre protestues të lënduar, gjendja shëndetësore e të cilëve paraqitet e mirë.
Ministria bën të ditur se deri në orën 14:00, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” nuk është paraqitur asnjë person i lënduar.










