Partia Demokratike e Kosovës (PDK), me rastin e festës së 28 Nëntorit, ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial në Prekaz, në nderim të familjes Jashari dhe të gjithë atyre që kontribuuan në lirinë e Kosovës.
Në homazhe morën pjesë ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, së bashku me anëtarë të Kryesisë, deputetë, kryetarë të komunave dhe zyrtarë të tjerë të partisë.
Përmes një deklarate, PDK-ja theksoi se Prekazi është vendi ku i kanë themelet liria dhe historia e Kosovës, duke riafirmuar angazhimin për ruajtjen e së vërtetës historike.
“Prej vendit ku i ka themelet liria e Kosovës, kujtojmë me krenari të kaluarën dhe riafirmojmë angazhimin për të vërtetën e historisë sonë të lavdishme, e cila nuk mund të tjetërsohet, as të rishkruhet”, thuhet në deklaratën e PDK-së.
Partia Demokratike e Kosovës ka theksuar gjithashtu rëndësinë e 28 Nëntorit, duke e cilësuar atë si një datë që bashkon tri momente të rëndësishme të historisë kombëtare: Ditën e Flamurit dhe shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, daljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ditëlindjen e komandantit legjendar Adem Jashari.
Në fund të mesazhit, PDK-ja ka përcjellë urimet për të gjithë shqiptarët, me një përshëndetje të veçantë për ish-pjesëtarët e UÇK-së që po mbahen në Hagë, me rastin e 28 Nëntorit.







