Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka uruar shqiptarët me rastin e 28 Nëntorit, duke kujtuar rëndësinë historike të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe sakrificën e brezave për ruajtjen e flamurit kombëtar.
Në urimin e tij, Abdixhiku ka theksuar se flamuri shqiptar është ruajtur ndër breza, edhe në periudhat kur shqiptarëve në Kosovë u ndalohej ta shfaqnin dhe ta ëndërronin lirinë.
Ai ka rikujtuar se më 28 Nëntor 1912, flamuri i një kombi u bë flamuri i një shteti, duke vënë në pah sakrificën e atyre që e ruajtën atë në shtëpi, në mërgim dhe gjatë luftës për liri.
“Secili brez ka përgjegjësinë e vet ndaj atdheut. Ata para nesh na e lanë flamurin të lirë. Ne u detyrohemi fëmijëve tanë t’u lëmë një shtet të fortë e të drejtë, një shoqëri që di të bëhet bashkë dhe një atdhe ku ata duan ta ndërtojnë jetën e tyre”, ka shkruar Abdixhiku.
Në fund të urimit, kreu i LDK-së ka përcjellë mesazhin e tij për të gjithë shqiptarët, kudo që ndodhen.
“Me fat 28 Nëntori, shqiptarë kudo që jeni!”, ka përfunduar Abdixhiku.







