Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, me rastin e shënimit të Ditës së Forcës, ka vlerësuar zhvillimin dhe transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), duke theksuar se periudha 2021–2026 është karakterizuar nga investime të mëdha, modernizim dhe rritje të kapaciteteve ushtarake.
Përmes një postimi në Facebook, Maqedonci ka thënë se kjo ditë përfaqëson krenari për shtetin dhe për të gjithë pjesëtarët e uniformës, të cilët i shërbejnë vendit me përkushtim dhe profesionalizëm.
“Dita e Forcës është ditë krenarie për shtetin, për ushtrinë dhe për secilin me uniformën e shenjtë që i shërben atdheut me nder, përkushtim dhe profesionalizëm”, ka shkruar Maqedonci.
Ai ka theksuar se përveç shënimit të përvjetorit të ushtrisë, kjo ditë shënon edhe një kapitull të rëndësishëm të zhvillimit dhe transformimit të saj.
Sipas ministrit, gjatë periudhës 2021–2026 janë realizuar investime të konsiderueshme në mbrojtje, është modernizuar armatimi dhe janë shtuar kapacitetet e FSK-së.
“Periudha 2021–2026 shënon vite të zhvillimit të hovshëm, investimeve historike, modernizimit dhe ngritjes së kapaciteteve të mbrojtjes së Republikës së Kosovës. Përmes punës, sakrificës dhe përkushtimit tuaj, kemi bërë hapa të mëdhenj drejt ndërtimit të një ushtrie moderne, profesionale dhe të ndërveprueshme me NATO-n”, ka deklaruar ai.
500 milionë euro investime në armatim dhe mbi 3 mijë ushtarakë të rinj
Maqedonci ka paraqitur edhe të dhëna për investimet dhe rritjen e kapaciteteve njerëzore të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Ai ka bërë të ditur se gjatë këtyre viteve buxheti për mbrojtjen është trefishuar, ndërsa investimet në armatim kanë arritur në rreth 500 milionë euro.
“Gjatë këtyre viteve, kemi trefishuar buxhetin e mbrojtjes, kemi investuar rreth 500 milionë euro në armatim, rekrutuar 3,220 ushtarakë të rinj dhe trajnuar mijëra ushtarakë në akademitë e vendeve aleate”, ka shkruar ministri.
Ai ka theksuar se FSK-ja tashmë disponon më shumë se 40 lloje sistemesh armatimi, duke përmendur sistemet raketore kundërtanke Javelin dhe OMTAS, artilerinë HAËKEYE, dronët Bayraktar dhe PUMA, si dhe mijëra dronë Skydagger.
Në kuadër të fuqizimit të kapaciteteve logjistike, Maqedonci ka përmendur edhe furnizimin me 35 kamionë ushtarakë Rheinmetall dhe UNIMOG – Mercedes-Benz, ndërsa ka bërë të ditur se gjatë vitit 2027 pritet të pranohen edhe automjete të tjera.
Kosova po ndërton industrinë e saj të mbrojtjes
Një tjetër zhvillim që ka veçuar ministri është themelimi i industrisë së mbrojtjes në Kosovë.
Ai ka bërë të ditur se janë hedhur themelet për funksionalizimin e fabrikës së parë të municioneve, si dhe për zhvillimin e mjeteve ushtarake ajrore dhe tokësore pa pilot.
Maqedonci ka vlerësuar se këto projekte përfaqësojnë një hap të rëndësishëm drejt rritjes së kapaciteteve vendore në fushën e mbrojtjes.
Në postimin e tij, ministri ka folur edhe për bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet aleate të NATO-s, duke theksuar se Kosova ka dëshmuar përkushtim ndaj partneritetit strategjik dhe vlerave të përbashkëta të sigurisë.
“Kemi thelluar partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët tanë të NATO-s, duke dëshmuar se Kosova është një partner i besueshëm dhe i përkushtuar ndaj vlerave të përbashkëta të sigurisë”, ka shkruar ai.
Më tej, Maqedonci ka përmendur edhe angazhimin e FSK-së në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese në Gaza, duke thënë se Kosova synon të jetë jo vetëm përfituese, por edhe kontribuuese në sigurinë ndërkombëtare.
“Sot, vendi ynë nuk është vetëm përfitues i sigurisë, por po përgatitet të jetë edhe kontribuues i paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, përmes angazhimit të ushtrisë sonë në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese në Gaza”, ka deklaruar ministri.
Në fund të mesazhit të tij, ministri i Mbrojtjes ka thënë se rezultatet e arritura gjatë periudhës 2021–2026 janë dëshmi e rëndësisë së vizionit, vendosmërisë dhe përkushtimit në ndërtimin e kapaciteteve të mbrojtjes.
Ai ka theksuar se investimet në ushtri do të vazhdojnë, me fokus në armatim, teknologji, infrastrukturë dhe zhvillimin profesional të pjesëtarëve të FSK-së.
“Ky transformim është themeli mbi të cilin do të ndërtojmë të ardhmen e ushtrisë sonë. Do të vazhdojmë investimet në armatim, teknologji, infrastrukturë dhe, mbi të gjitha, në ushtarakët tanë, sepse fuqia e një ushtrie nuk matet vetëm me pajisjet që posedon, por me profesionalizmin, guximin dhe besnikërinë e atyre që e përbëjnë”, ka shkruar Maqedonci.
Ai ka shtuar se ndërtimi dhe fuqizimi i ushtrisë është përgjegjësi ndaj shtetit dhe brezave të ardhshëm, por edhe nderim për të gjithë ata që sakrifikuan për lirinë e Kosovës.
“Ndërtimi dhe fuqizimi i ushtrisë së Republikës së Kosovës është obligim ndaj shtetit, përgjegjësi ndaj brezave që vijnë dhe nderim i përhershëm për ata që sakrifikuan jetën për lirinë tonë. Liria që gëzojmë sot është amanet, ndërsa mbrojtja e saj është detyrë që na bashkon të gjithëve”, ka përfunduar ministri.
Në fund, Maqedonci ka uruar të gjithë pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës për Ditën e Forcës.







