Presidentja e Kosovës Justina Shiroka-Pula u takua me homologun e saj kroat, Zoran Milanoviq, në kuadër të Procesit Brdo–Brijuni, që po mbahet në Ohër.
Zyra e Presidentes njoftoi se Shiroka-Pula ka vlerësuar rolin e Kroacisë në themelimin dhe zhvillimin e kësaj nisme rajonale si dhe kontributin e saj të vazhdueshëm në mbështetje të integrimit europian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Ajo theksoi se ky proces përbën një platformë të rëndësishme për dialog politik, koordinim rajonal dhe avancimin e perspektivës evropiane të Kosovës.
Duke folur për rrugën europiane të Kosovës, Shiroka-Pula ka thënë se orientimi euroatlantik i Kosovës mbetet i palëkundur.
Në takim u diskutua edhe për bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
“Presidentja theksoi se anëtarësimi i Kosovës në NATO mbetet prioritet strategjik dhe se ky hap do të kontribuonte në sigurinë dhe stabilitetin e qëndrueshëm të gjithë rajonit. Ajo vlerësoi marrëveshjen trepalëshe të bashkëpunimit ushtarak ndërmjet Kosovës, Kroacisë dhe Shqipërisë, të nënshkruar më 18 mars 2025, si një hap të rëndësishëm për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe ndërveprueshmërisë”.
Presidentja Shiroka -Pula theksoi rëndësinë e thellimit të mëtejmë të marrëdhënieve dypalëshe, veçanërisht në fushën e ekonomisë, rritjes së shkëmbimeve tregtare dhe krijimit të mundësive të reja për investime.







