Kosova, Serbia dhe Bosnje e Hercegovina nuk do të përfitojnë fonde nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, pasi nuk kanë përmbushur reformat e kërkuara. Kështu bëri të ditur komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, gjatë samitit BE–Ballkani Perëndimor që po mbahet në Tiranë.
Ndërkohë, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut kanë përfituar fonde shtesë nga BE-ja, pasi kanë përmbushur kushtet dhe reformat e parapara në kuadër të këtij plani.
Gjatë takimit me liderët e rajonit, Kos iu drejtua kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, duke theksuar se formimi i institucioneve të reja paraqet një mundësi për rifokusim në reformat që lidhen me rrugëtimin evropian të vendit.
Ajo gjithashtu njoftoi se në fillim të muajit dhjetor do ta vizitojë Kosovën, me qëllim të diskutimit për hapat e mëtejmë drejt integrimit evropian dhe përfitimit të fondeve nga BE-ja.
“Në Kosovë, i dashur Albin, qeveria e re është gjithashtu mundësi e re për të pasur një fokus të ri për rrugëtimin e Kosovës drejt BE-së. Kjo është një mundësi për të arritur reforma dhe për të marrë më shumë fonde. Me shumë kënaqësi, në fillim të dhjetorit do të vij në Kosovë për të folur se si mund ta çojmë më tej këtë proces dhe si mund ta zgjerojmë atë, meqë tashmë i keni të gjitha institucionet e formuara”, deklaroi Kos.









