Ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së thotë se drafti i iniciativës është harmonizuar nga ekspertët juridikë, ndërsa strategjia për mbrojtjen e çlirimtarëve është miratuar nga grupi strategjik.
Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka bërë të ditur se është përgatitur një iniciativë e re ligjore lidhur me Dhomat e Specializuara, e cila së shpejti pritet të procedohet në Kuvendin e Kosovës.
Në një konferencë për media, Çitaku ka njoftuar gjithashtu se grupi strategjik ka miratuar strategjinë për mbrojtjen e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në fazën e Apelit.
Ajo ka bërë të ditur se draftin e iniciativës së re ligjore e ka pranuar para dy ditësh, ndërsa një ditë më vonë ua ka prezantuar anëtarëve të grupit strategjik.
Sipas Çitakut, drafti është hartuar dhe harmonizuar nga ekspertë juridikë, ndërsa synimi i tij është garantimi i një procesi të drejtë gjyqësor, respektimi i të drejtave themelore të njeriut dhe krijimi i mekanizmave të mbikëqyrjes institucionale, pa cenuar pavarësinë e gjyqësorit.
“Po përmbushim një detyrë dhe një zotim që kemi marrë publikisht para qytetarëve të Kosovës. Para dy ditësh kam pranuar draftin e iniciativës së re ligjore për Dhomat e Specializuara, të hartuar dhe harmonizuar nga ekspertë juridikë. Dje, në mbledhjen e radhës të grupit strategjik, ua kam prezantuar këtë draft të gjithë anëtarëve të grupit”, ka deklaruar Çitaku.
Ajo ka theksuar se iniciativa nuk ka për qëllim shmangien apo pengimin e drejtësisë, por kërkon që procesi gjyqësor të zhvillohet në përputhje me standardet dhe parimet e të drejtave të njeriut.
“Qëllimi i iniciativës sonë mbetet i pandryshuar: të garantojmë një proces të drejtë gjyqësor, respektimin e të drejtave themelore të njeriut dhe mekanizma të mirëfilltë të mbikëqyrjes institucionale, duke respektuar pavarësinë e gjyqësorit. Në asnjë moment nuk kemi synuar t’i ikim drejtësisë apo ta pengojmë atë. Përkundrazi, kërkojmë që drejtësia të ushtrohet në përputhje me parimet mbi të cilat ajo vetë është ndërtuar”, është shprehur ajo.
Çitaku ka përsëritur se kërkesa e tyre është që Dhomat e Specializuara të respektojnë të drejtat e njeriut dhe standardet evropiane.
“Po e ripërsëris, kërkesa jonë është një dhe e pandryshueshme: që kjo gjykatë t’i respektojë parimet mbi të cilat është ndërtuar, t’i respektojë të drejtat e njeriut dhe standardet evropiane”, ka theksuar ajo.
Në konferencë, Çitaku ka folur edhe për strategjinë e miratuar për fazën e Apelit, duke bërë të ditur se dokumenti është hartuar me kontributin e ekspertëve, institucioneve dhe përfaqësuesve të të gjitha partive shqiptare në Kuvendin e Kosovës.
“Dje, në mbledhjen e grupit strategjik, kemi miratuar strategjinë për mbrojtjen e çlirimtarëve në Apel. Kjo strategji është hartuar me kontributin e ekspertëve, institucioneve dhe përfaqësuesve të të gjitha partive shqiptare në Kuvendin e Kosovës. Kemi një dokument të përbashkët, mbi bazën e të cilit shteti i Kosovës do ta organizojë angazhimin e tij në këtë proces”, ka deklaruar Çitaku.
Ajo e ka cilësuar unitetin politik dhe institucional për këtë çështje si një arritje me rëndësi historike, duke theksuar se qëndrimi i përbashkët është ndërtuar përtej dallimeve partiake.
“Për mua ky unitet ka peshë historike, sepse përtej dallimeve tona politike kemi arritur të ndërtojmë një qëndrim të përbashkët për një çështje e cila i tejkalon interesat e secilës parti”, ka deklaruar Çitaku.
Para se iniciativa e re ligjore të procedohet në Kuvendin e Kosovës, Çitaku ka paralajmëruar se do të zhvillojë takime me drejtuesit e partive politike.








