Deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, ka kritikuar proceset e përzgjedhjes së kandidatëve për borde në Radio Televizionin e Kosovës (RTK) dhe në agjenci të tjera, duke ngritur shqetësime për mungesë të meritokracisë dhe ndikime politike.
Kadrijaj ka pretenduar se vlerësimi i kandidatëve gjatë intervistave nuk është bërë në mënyrë të drejtë, duke përmendur raste kur kandidatët me performancë të dobët janë vlerësuar me pikët maksimale, ndërsa ata që kanë dëshmuar përgatitje profesionale kanë marrë pikë minimale.
Sipas saj, këto praktika kanë bërë që disa kandidatë me integritet të tërhiqen nga gara, pasi kanë humbur besimin në paanshmërinë e procesit.
“Ka interferenca politike. Ai që i ka më shumë kriteret politike për të qenë në bord apo në agjenci, ka dalë i përzgjedhur”, ka deklaruar Kadrijaj.
Ajo ka vënë në pikëpyetje edhe integritetin e komisioneve vlerësuese, duke theksuar se, sipas saj, në këto procese po mbizotërojnë interesat politike në vend të kritereve profesionale.







