Hisen Berisha nga Partia Demokratike e Kosovës e ka cilësuar si krijim të shpresës së rrejshme për qytetarët dakordimin ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje (VV) dhe PDK-së për Projektligjin e ri për Gjykatën Speciale.
Në emisionin “Info Nata” në Tëvë1, Berisha ka thënë se debati për rikthimin e ligjit në seancë plenare është një përpjekje për të shmangur përgjegjësinë nga ata që e kanë iniciuar këtë proces.
“Debati për rikthimin e ligjit prapë në seancë është thjesht dhe vetëm krijimi i një shprese të rrejshme për qytetarët dhe ata që e iniciuan tani po mundohen ta largojnë përgjegjësinë nga vetja, sepse e shohin që një institut, ta quaj i tillë, i komprometuar, i cili nuk mund ta realizojë atë fitore politike që është pretenduar, po mundohet secili ta heqë përgjegjësinë nga vetja duke bërë këso makinacionesh”, ka deklaruar Berisha.
Ai ka drejtuar kritika edhe ndaj presidentes së vendit, duke e cilësuar atë si përgjegjësen kryesore për mënyrën se si është trajtuar kthimi i ligjit.
Sipas Berishës, presidentja nuk ka pasur bazë kushtetuese për ta kthyer ligjin pa ndërmarrë veprime të tjera institucionale.
“Personi që është përgjegjës më i madh në këtë procedurë është presidentja e shtetit, e cila e ka kthyer në mënyrë jokushtetuese ligjin mbrapa, sepse ligji nuk kthehet me kërkesën e sponsorizuesit, pak rëndësi ka kush ka, a PDK a kush. Pra, presidentja ka mundur me konstatu se ligji nuk është në shërbim të qytetarëve, është në dëm të shtetasve të Kosovës, dhe me e ratifiku dhe me e kthy ose me e dërgu në Gjykatë Kushtetuese, por jo me e kthy pa bërë asnjë veprim”, ka thënë Berisha.
Ndryshe, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Partia Demokratike (PDK) janë pajtuar ta bëjnë një projektligj të ri me të cilin synohet t’i kufizohet mandati Gjykatës Speciale.
Ligji është miratuar në dy lexime, por me kërkesë të PDK-së, presidentja Justina Shiroka Pula e pati kthyer në Kuvend.
E, PDK-ja ishte bërë sërish pishman, dhe kërkoi që të rrëzohej vetoja e presidentes, në mënyrë që ndryshimet të bëheshin pasi ligji të hynte në fuqi.
Por, pas mospajtimeve me procedurën, dy partitë janë marrë vesh për nismë të re ligjore./teve1.info/









