Parlamenti Evropian miraton buxhetin e BE-së për vitin 2027 në vlerë prej 211.5 miliardë eurosh
Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, nënshkroi të mërkurën buxhetin e Bashkimit Evropian për vitin 2027, pas miratimit të tij nga eurodeputetët gjatë seancës plenare të mbajtur në Strasburg.
Sipas Parlamentit Evropian, buxheti parasheh 199.7 miliardë euro në ndarjet buxhetore për angazhime dhe 211.5 miliardë euro në ndarjet për pagesa.
Ky është buxheti i fundit vjetor në kuadër të Kornizës Financiare Shumëvjeçare të BE-së për periudhën 2021–2027, ndërsa hyrja e tij në fuqi është paraparë për 1 janar 2027.
Buxheti u miratua nga Parlamenti Evropian me 406 vota për, 184 kundër dhe 69 abstenime.
Gjatë negociatave me shtetet anëtare, eurodeputetët arritën të sigurojnë mbi 300 milionë euro financim shtesë në raport me propozimin fillestar të Komisionit Evropian. Fondet shtesë janë orientuar drejt sektorëve me rëndësi prioritare, përfshirë kërkimin shkencor, transportin, rrjetet energjetike, arsimin, mbrojtjen civile dhe ndihmën humanitare.
Në kuadër të këtyre ndarjeve shtesë, janë siguruar 21.5 milionë euro për programin e kërkimit shkencor Horizon Europe, 22.5 milionë euro për rrjetet e transportit dhe energjisë, 14 milionë euro për programin Erasmus+ dhe 13.5 milionë euro për Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të Bashkimit Evropian.
Marrëveshja përfshin gjithashtu rritjen e financimit për ndihmën humanitare, menaxhimin e kufijve, politikat e migracionit, programet e fqinjësisë, si dhe forcimin e kapaciteteve të sigurisë së institucioneve të Bashkimit Evropian.
Marrëveshja për buxhetin u arrit më 11 nëntor ndërmjet Parlamentit Evropian dhe Këshillit të Bashkimit Evropian, në kuadër të negociatave ndërinstitucionale. Këshilli e miratoi zyrtarisht atë më 23 nëntor, përpara votimit përfundimtar dhe nënshkrimit nga Presidentja e Parlamentit Evropian.










