Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka bërë të ditur se përhapja e fruthit në vend po vazhdon, ndërsa numri i rasteve të konfirmuara ka arritur në 381.
Sipas njoftimit të institutit, vetëm gjatë javës së fundit janë regjistruar 45 raste të reja, në gjithsej 26 komuna të Kosovës. Pjesa dërrmuese e të prekurve janë fëmijë.
IKShPK ka bërë të ditur se mbi 95 për qind e rasteve janë evidentuar te personat që nuk janë vaksinuar me vaksinën MMR, e cila mbron nga fruthi, parotiti dhe rubeola.
Instituti ka paralajmëruar se fruthi është sëmundje shumë ngjitëse dhe mund të shkaktojë komplikime serioze shëndetësore, veçanërisht te fëmijët e vegjël.
Ndërkohë, gjatë këtij viti, në kuadër të aktiviteteve të vaksinimit plotësues, janë vaksinuar mbi 4 mijë e 187 fëmijë të moshës 2 deri në 5 vjeç.
IKShPK u ka bërë thirrje prindërve që të kontrollojnë kartelat e vaksinimit të fëmijëve dhe, në rast se u mungon ndonjë dozë, të kontaktojnë ekipet përkatëse për të plotësuar vaksinimin.
Po ashtu, instituti ka rekomanduar kujdes të shtuar për foshnjat nën moshën 12 muajshe, të cilat ende nuk e kanë marrë vaksinën MMR. Për këtë kategori, këshillohet kufizimi i ekspozimit në ambiente të mbyllura dhe të mbipopulluara.








