Sulmuesi i Prishtinës, Assane Diatta po del të jetë njëri prej lojtarëve kryesor këtë sezon në Superligën e Kosovës.
E dëshmia më e mirë për këtë është se Diatta edhe një herë është përzgjedhur si më i miri i xhiros në elitën e futbollit kosovar.
Diatta është shpallur “Ylli i Javës” për xhiron e 14-të, me vlerësimin e Komisionit të Veteranëve të futbollit, ka njoftuar FFK, të hënën.
Diatta ishte fantastik në ndeshjen e fundit të Prishtinës, të cilën ekipi nga kryeqyteti e fitoi bindshëm në stadiumin “Fadil Vokrri” përball Drenicës.
Në fakt, Diatta realizoi “hat-trick” për fitoren 3:0 të Prishtinës, ekip që është forcuar në krye të tabelës me 35 pikë të tubuara.
Për sulmuesin e Prishtinës, kjo është hera e tretë këtë sezon që shpallet më i miri i xhiros kurse në 14 ndeshje në Superligë, ai ka realizuar 11 gola dhe ka bërë 3 asistime.









