Qeveria e Kosovës ka thënë se Kongresi i Manastirit në të cilin u bë alfabeti shqip 118 vjet më parë dëshmoi fuqinë e organizmit dhe të dijes në shërbim të lirisë.
Në një deklaratë me rastin e Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe, Qeveria ka vlerësuar kontributin e anëtarëve të këtij kongresi .
“Me mirënjohje kujtojmë Mithat Frashërin, kryetar të Kongresit, Gjergj Fishtën, kryetar të Komisionit të Alfabetit, si dhe Parashqevi Qiriazin, Luigj Gurakuqin, Ndre Mjedën, Shahin Kolonjën, Gjergj Qiriazin dhe delegatët e tjerë. Nderojmë përkushtimin e Sevastie Qiriazit e të familjes Qiriazi, punën e klubit «Bashkimi» të Manastirit dhe të shoqërive e klubeve shqiptare që mundësuan këtë vepër historike. Kongresi dëshmoi fuqinë e organizimit dhe të dijes në shërbim të lirisë. Dallimet u kapërcyen në emër të një qëllimi të përbashkët: që shqiptarët të mësonin, të shkruanin dhe të ndërtonin të ardhmen në gjuhën e tyre”, thuhet në deklaratën e Qeverisë.
Qeveria ka thënë se është përgjegjësi që të vazhdohet puna për arsim publik e cilësor.
“Përgjegjësia jonë është ta vazhdojmë këtë punë me arsim publik cilësor, me mbështetje për mësimdhënësit, librin dhe shkencën, me ngritje të mësimdhënies e mësimnxënies, me kujdes për shqipen në institucione dhe me mundësi të qëndrueshme për mësimin e saj në mërgatë. Bashkimi që u ndërtua përmes shkronjave duhet të thellohet përmes dijes dhe mundësive të barabarta për çdo brez”, thuhet në deklaratë./teve1.info/








