Gjykata Administrative e shkallës së parë ka anuluar vendimet e Komunës së Prishtinës, përmes të cilave nëntë familjeve në lagjen “Dardania” u ishte kërkuar lirimi i pronave në afërsi të xhamisë së re në ndërtim.
Lajmin e ka bërë të ditur avokati Vigan Rogova, i cili përfaqëson familjet e prekura nga ky vendim.
Rogova ka thënë se vendimi i gjykatës përbën një konfirmim të rëndësishëm të mbrojtjes së të drejtave pronësore dhe të parimit të ligjshmërisë në veprimtarinë e autoriteteve publike.
“Avokatura jonë, me sukses mbrojti të drejtat pronësore të banorëve të lagjes ‘Shëndeti’ në Prishtinë, pranë Gjykatës Administrative. Gjykata e shkallës së parë anuloi vendimet e Komunës së Prishtinës, përmes të cilave synohej largimi i kundërligjshëm i banorëve nga kjo lagje. Në arsyetimin e saj, Gjykata theksoi se organi publik nuk ka pasur kompetencë ligjore të bëjë njëanshëm lirimin e pronës, ashtu siç kishte tentuar të vepronte Komuna e Prishtinës”, ka shkruar ai në Facebook.
Në mars të këtij viti, Komuna e Prishtinës kishte urdhëruar lirimin e pronave në rrugën “Shëndeti”, me arsyetimin se pronarët e shtëpive po shfrytëzonin pronën komunale në kundërshtim me ligjin.
Ndërkaq, banorët kishin këmbëngulur se pronat i kishin blerë përmes ankandit dhe se ato nuk kishin qenë pronë e Komunës, por pronë e përgjithshme popullore nën administrimin e saj.







