Anëtari i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Durim Halilaj, ka kritikuar projektbuxhetin e vitit 2027, duke e cilësuar atë si buxhet konsumues, i cili, sipas tij, nuk i përmbush pritshmëritë e shtetit të Kosovës.
“Realisht, Qeveria dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës ma kanë miratuar në lexim të parë projektbuxhetin e vitit fiskal 2027. Ky projektbuxhet, përveçse është buxhet konsumues, është edhe buxhet gjysmak, i cili nuk i mbulon pritshmëritë e shtetit të Kosovës”, ka deklaruar Halilaj në emisionin”Ditari” në Tëvë1.
Halilaj ka thënë se mënyra e planifikimit dhe orientimit të mjeteve buxhetore nuk krijon kushte për zhvillimin e ekonomisë dhe rritjen e prodhimit vendor.
“Ky buxhet nuk ka me pasë zhvillim ekonomik. Është buxhet konsumues, buxhet i cili ekonominë e Kosovës e rrit përmes importit, por nuk ka prodhim”, është shprehur ai.
Halilaj ka theksuar se nga buxheti i planifikuar prej 4.27 miliardë eurosh, rreth 3 miliardë euro pritet të sigurohen nga të hyrat që paguajnë qytetarët, përmes TVSH-së, taksave dhe tatimeve.
Ai është ndalur edhe te kategoria e pagave, për të cilën janë planifikuar 1 miliard e 84 milionë euro.
“Nëse koeficienti më 1 korrik pritet të rritet për 10 euro, ndërsa inflacioni në Kosovë është 7.8 për qind, sipas institucioneve të ASK-së, atëherë i bie që nuk ka rritje reale të pagave në sektorin publik”, ka thënë Halilaj.







