Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës Glauk Konjufca dhe drejtori ekzekutiv i Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, Atdhe Hetemi nënshkruan sot një memorandum mirëkuptimi.
Memorandumi i nënshkruar synon forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe prezantimin ndërkombëtar të dokumentimit të krimeve të kryera nga regjimi gjenocidal i Sllobodan Millosheviqit, gjatë luftës në Kosovë.
Me këtë rast, Ministria dhe Instituti do të bashkërendojnë angazhimet për ndërkombëtarizimin e hulumtimeve, dëshmive dhe publikimeve mbi krimet e luftës.
Rrjeti diplomatik dhe konsullor i Kosovës do të mbështesë prezantimin e këtyre materialeve në arenën ndërkombëtare, organizimin e aktiviteteve përkujtimore dhe zgjerimin e bashkëpunimit me institucione relevante ndërkombëtare.
Kryeministri Albin Kurti paralajmëroi më 6 nëntor se të dhënat e reja për viktimat e luftës do të publikohen në fund të janarit 2027.
Në fund korrikut është publikuar lista preliminare e viktimave të luftës, me 13195 persona të verifikuar për periudhën 1998-2000.
Databaza përditësohet çdo ditë, ndërsa rezultatet e reja të përditësimit do të publikohen në fund të janarit 2027.






