Pas ndeshjeve evropiane, Trepça e Bashkimi vazhdojnë garën në Superligën e Kosovës në basketboll. Kampionia, Trepça, dhe nënkampioni, Bashkimi, përballen në top-ndeshjen e xhiros së dhjetë të elitës kosovare.
Derbi i madh zhvillohet të dielën prej orës 17:00 në palestrën “Minatori” në Mitrovicë. Në moment më të mirë është Trepça. Të mërkurën e mposhti Splitin kroat, në kuadër të FIBA Europe Cup. Ajo ndeshje u luajt po në arenën buzë lumit Ibër.
Ndërkohë, Bashkimi në Prizren pësoi nga Manchesteri anglez, në ndeshjen e FIBA Europe Cup. Prizrenasit tashmë janë jashtë objektivave në garën evropiane.
Në tabelë, Bashkimi qëndron më mirë. Mban vendin e parë me 16 pikë, sa i ka edhe Trepça në të dytin dhe Bora në të tretin. Bashkimi është i pari për shkak të koshdallimit më të mirë.
Ndeshjen e parë të edicionit, të luajtur në Prizren në kuadër të xhiros së tretë, Bashkimi e fitoi me rezultat 84:76.
Xhiroja hapet me një tjetër ndeshje interesante. Në palestrën “13 Qershori” në Suharekë, të shtunën prej orës 17:00, përballen Golden Eagle Ylli dhe Sigal Prishtina. Ylli është i katërti me 14 pikë, ndërsa Prishtina e pesta me 12 pikë.
Të shtunën prej orës 19:30, Rahoveci 029 e pret Borën e Prishtinës. “Vreshtarët” janë në pozitën e fundit me 11 pikë, sa kanë edhe Peja në vendin e gjashtë dhe Vëllaznimi në të shtatin.
Xhiroja mbyllet me ndeshjen Vëllaznimi – Peja, që zhvillohet të dielën nga ora 19:30 në Gjakovë.
Peja ka shtatë humbje rresht në Superligë dhe do të tentojë të kthehet te suksesi. Por rastin e sheh edhe Vëllaznimi, që luan para tifozëve të tij.
Te Peja vazhdon të ketë zhvillime. Këtë javë klubi e suspendoi basketbollistin Daquan Bracey, ndërsa e transferoi Kyan Andersonin.








