Drejtoresha për Mirëqenie Sociale në Komunën e Pejës, Albulena Mujaj-Bajraktaraj, ka deklaruar se nuk kishte përgjegjësi të drejtpërdrejtë në trajtimin e rasteve të dhunës, përfshirë rastin e Arlinda Zekajt, e cila u vra në Vitomiricë të Pejës.
Gjatë dëshmisë së saj në Komisionin Hetimor lidhur me këtë rast, Mujaj-Bajraktaraj ka folur për kompetencat e saj institucionale, kapacitetet e Qendrës për Punë Sociale dhe takimin që kishte zhvilluar me të ndjerën pas raportimit të rastit në polici.
Ajo tha se është gjykuar dhe linçuar padrejtësisht për përgjegjësi që, sipas saj, nuk i takojnë drejtpërdrejt.
“Unë nuk trajtoj raste direkt, nuk jap mendime, nuk jap vendime në raport me fëmijët edhe me rastet e dhunës. Jam drejtor politik në kuptimin që hartoj politika për zhvillim të fushës sociale në nivel lokal. Kjo është përgjegjësia ime”, deklaroi ajo.
Duke folur për kapacitetet e Qendrës për Punë Sociale në Pejë, drejtoresha bëri të ditur se në dy shërbimet që ofron kjo qendër janë të angazhuar gjithsej shtatë zyrtarë.
Sipas saj, mungesa e stafit është theksuar pas largimit të dy punonjëseve nga shërbimi profesional, njëra për shkak të pushimit të lehonisë dhe tjetra pas transferimit në një dikaster tjetër.
Ajo vlerësoi se numri i punonjësve nuk është i mjaftueshëm për vëllimin e rasteve, duke theksuar se kjo lidhet edhe me kufizimet buxhetore të komunës.
Mujaj-Bajraktaraj u pyet edhe nëse ishte takuar me Arlinda Zekajn dhe nëse e kishte detyruar atë ta tërhiqte ankesën, pretendim të cilin e mohoi.
“Jo, nuk është e vërtetë”, tha ajo.
Drejtoresha konfirmoi se ishte takuar me Zekajn të hënën paradite, menjëherë pas raportimit të rastit në polici, që sipas saj ishte bërë të premten, më 10, pasdite.
Ajo tregoi se gjatë takimit Arlinda kishte shprehur pakënaqësi për mënyrën e trajtimit të rastit në polici dhe për vlerësimin profesional.
“Arlinda ka shpreh shqetësime për trajtimin e rastit në polici. Në polici, ku ka qenë prezent edhe zyrtari për shërbime sociale. Ka kërkuar që rasti me u trajtuar me prezencë në vazhdim, me u trajtuar me prezencë të ambasadës amerikane edhe ka shpreh shqetësim në aspektin profesional të vlerësimit, duke e cilësuar si vlerësim të njëanshëm”, deklaroi ajo.
Mujaj-Bajraktaraj tha se pas këtyre shqetësimeve kishte ftuar udhëheqësin e shërbimit social, në mënyrë që ai ta informonte Arlindën për të drejtat dhe procedurat që mund të ndiqte.
“Menjëherë sapo e kam kuptuar arsyen e takimit, e kam ftuar udhëheqësin e shërbimit social në cilësinë e profesionistit, me udhëzuar palën çka ka të drejtë edhe cilat janë procedurat në vijim”, tha ajo ndër të tjera.
Sipas saj, udhëheqësi i shërbimit social i kishte kërkuar Arlindës që kërkesat dhe ankesat t’i dorëzonte me shkrim, në mënyrë që më pas të shqyrtohej mënyra e trajtimit të tyre.







