Komisioni Hetimor Parlamentar për veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt dhe trajtimin e dhunës ndaj grave dhe fëmijëve në familje do të intervistojë sot 3 zyrtarë institucionalë.
Sipas agjendës së Kuvendit të Kosovës, para Komisionit do të paraqiten Albulena Mujaj–Bajraktaraj, drejtoreshë e Drejtorisë për Mirëqenie Sociale në Komunën e Pejës, dhe Samka Drançolli, zyrtare për Barazi Gjinore në këtë komunë.
Po ashtu, për intervistim është ftuar edhe Blerim Shabani, drejtor i Departamentit në Ministrinë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare.
Mbledhja është paraparë të fillojë në orën 09:00, në sallën N-10 të Kuvendit të Kosovës.
Komisioni Hetimor Parlamentar ka për objekt shqyrtimin e veprimeve dhe mosveprimeve të institucioneve në lidhje me vrasjen e Arlinda Zekajt, si dhe trajtimin institucional të rasteve të dhunës ndaj grave dhe fëmijëve në familje.







