Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se dy nga faktorët që po ndikojnë në migrimin e qytetarëve është arsimi dhe drejtësia.
Ai ka thënë se ka mungesë të cilësisë në arsim dhe mungesë të drejtësisë, që ndikon te qytetarët.
Në debatin për buxhetin në Kuvendin e Kosovës, për nivelin e arsimit, ai ka bërë përgjegjëse edhe komunat e Kosovës.
“Shumica e komunave të Kosovës i kanë kushtet e jetesës të tilla, sidomos në zonat rurale dhe sidomos për shkak të cilësisë së arsimit që ata ose migrojnë brenda, ose Gjermani e Zvicër. Një ndër shkaqet kryesore të migrimit qoftë brenda qoftë jashtë është arsimi… Sfidë e madhe do të mbetet arsimi. Na e dimë që arsimi u takon komunave, unë kisha qenë më shumë që arsimi të jetë më i centralizuar. Pa e ba drejtorin komunal të arsimit njeri shumë të rëndësishëm që cili do prej neve edhe më dashtë me shkua me punë aty se është sfidë e madhe nuk rregullohet arsimi, sidomos në këto zonat rurale”, ka thënë ai.
Kurti ka thënë se këto dy fusha janë sfidë për Kosovën. Ai ka thënë se është optimist që fushat tjera do të rregullohen, por për këto dy fusha nuk është shumë optimist.
“Përveç arsimit sfidë e madhe që ka shteti ynë është drejtësia. Neve na duhet me rregullua drejtësinë e arsimin. Unë jam optimist për krejt tjerat, optimistë i përmbajtur jam për këto dyja. Kjo është sfida jonë e madhe”, tha Kurti./teve1.info/




