Presidenti amerikan Donald Trump po shqyrton mundësinë e nisjes së një tjetër fushate sulmesh ushtarake kundër Iranit, pas presionit të ushtruar nga Izraeli, raportoi të mërkurën gazeta The New York Times, duke cituar zyrtarë.
Sipas raportimit, Trump ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar, por po vlerëson mundësinë e rifillimit të operacioneve ushtarake, pasi Izraeli ka paralajmëruar se Irani po përparon në rindërtimin e kapaciteteve të tij raketore dhe të dronëve.
Ndërkohë, brenda administratës amerikane janë thelluar mospajtimet lidhur me besueshmërinë e informacioneve të inteligjencës dhe nëse një tjetër sulm ndaj Iranit do të ishte i arsyeshëm, thuhet në raport.
Këto diskutime zhvillohen në një kohë kur votuesit kanë shprehur pakënaqësi për luftën në zgjedhjet e mesit të mandatit.
Konflikti ka ndikuar në rritjen e çmimeve, pa sjellë fitoren e shpejtë që Trump kishte premtuar afro tetë muaj më parë.
Pavarësisht rezervave brenda administratës amerikane, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu po kërkon që Uashingtoni t’i bashkohet Izraelit në një fushatë katër deri në shtatë ditore sulmesh ajrore kundër Iranit, sipas The New York Times.
Netanyahu synon të sigurojë përfshirjen e drejtpërdrejtë të SHBA-së, ndonëse zyrtarët izraelitë kanë mohuar se kryeministri po ushtron presion ndaj presidentit amerikan.
Kontakti mes dy vendeve është intensifikuar gjatë javës së kaluar. Shefi i Mossadit, Roman Gofman, zhvilloi takime me zyrtarë të lartë amerikanë, mes tyre edhe drejtorin e CIA-s, John Ratcliffe.
Edhe drejtues të tjerë të shërbimeve izraelite të inteligjencës dhe të ushtrisë kanë kërkuar ndërmarrjen e veprimeve të reja kundër Iranit, raportoi gazeta.
Ndërkohë, deklaratat e Trumpit për të ardhmen e konfliktit kanë qenë kontradiktore.
Në disa raste, ai ka deklaruar se lufta ka përfunduar, ndërsa në të tjera ka lënë të hapur mundësinë e ndërhyrjeve të reja ushtarake, me argumentin se ato mund të jenë të nevojshme për të penguar Iranin të zhvillojë armë bërthamore.







