Autoriteti i Mbrojtjes Civile të Arabisë Saudite ka bërë të ditur se një kullë në Distriktin Financiar të Riadit është dëmtuar nga një sulm i kryer nga rebelët Huthi.
“Sulmi rezultoi në dëme materiale në disa kate të kullës dhe në ndërtesat ngjitur; nuk u raportuan të lënduar”, thuhet në deklaratën e autoritetit.
Ndërkohë, Ministria e Jashtme saudite ka paralajmëruar se Arabia Saudite “nuk do të tolerojë” asnjë sulm ndaj territorit të saj, shkruan Al Jazeera.
Autoritetet saudite nuk kanë bërë të ditur zyrtarisht emrin e ndërtesës së goditur. Megjithatë, një fotografi e publikuar në rrjetet sociale nga agjencia e Mbrojtjes Civile duket se tregon Kullën e Fondit të Investimeve Publike, në Distriktin Financiar Mbreti Abdullah në Riad.
Rrokaqielli, me 80 kate dhe një lartësi prej 385 metrash, është ndërtesa më e lartë në kryeqytetin saudit.
Ai shërben si selia e Fondit të Investimeve Publike, fondit sovran të pasurisë së Arabisë Saudite.
Kulla përfundoi së ndërtuari në vitin 2021 dhe është struktura e dytë më e lartë në mbretëri, pas Kullës Mbretërore të Sahatit në Mekë, e cila arrin lartësinë prej 601 metrash.











