Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka pritur në takim shefen e Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë në Kosovë, ambasadoren Vaiani Gaidatzi.
Gjatë takimit, presidentja Shiroka Pula i ka uruar ambasadores Gaidatzi suksese në misionin e saj diplomatik, duke shprehur interesimin për forcimin e kontakteve dhe avancimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Greqisë.
Sipas njoftimit të Presidencës, presidentja ka vlerësuar qasjen konstruktive të Greqisë ndaj Kosovës, si dhe mbështetjen e saj për integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor.
Në këtë kontekst, ajo ka theksuar rëndësinë e mbështetjes greke për avancimin e Kosovës drejt marrjes së statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“Presidentja Shiroka Pula vlerësoi qasjen konstruktive të Greqisë ndaj Kosovës dhe mbështetjen për integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes greke për avancimin e Kosovës drejt statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Po ashtu, gjatë takimit është diskutuar edhe për bashkëpunimin ekonomik, me theks të veçantë në rëndësinë e investimeve greke dhe rritjen e shkëmbimeve tregtare.
Presidentja ka vënë në pah edhe potencialin për zgjerimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët për të dyja vendet.







