Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka deklaruar se është arritur marrëveshje për votimin e Ligjit për Specialen.
E pyetur nga gazetarët nëse kanë arritur marrëveshje për votimin e këtij ligji, Çitaku është përgjigjur shkurt: “Ka marrëveshje”, pa dhënë detaje të tjera, ndërsa ka vazhduar rrugën drejt sallës së Kuvendit.
Ndërkaq, deputetët e tjerë të PDK-së, të cilët gjithashtu janë pyetur nga mediat lidhur me mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje, nuk kanë dhënë përgjigje.
Në rendin e ditës së seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës është edhe shqyrtimi i Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, i cili i është kthyer Kuvendit nga presidentja e vendit.









