Ish-kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, dhe ushtruesja e detyrës së kryetares së kësaj partie, Vlora Çitaku, kanë zhvilluar sot një takim me kryeministrin Albin Kurti, pak minuta para vazhdimit të seancës së Kuvendit të Kosovës.
Takimi është mbajtur në prag të vazhdimit të seancës, në rendin e ditës së së cilës është edhe Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, i njohur si Ligji për Specialen.
Pas përfundimit të takimit, Çitaku ka deklaruar para mediave se mes palëve nuk ka dallime në përmbajtje, por se mospajtimet kanë të bëjnë ende me procedurën.
“Nuk kemi asnjë dallim në përmbajtje. Dallimet i kemi ende në procedurë. Diskutimet vazhdojnë”, ka deklaruar Çitaku pas takimit me Kurtin.
Ajo nuk ka dhënë detaje të tjera lidhur me diskutimet, ndërsa ka bërë të ditur se bisedimet mes palëve për këtë çështje janë ende në vazhdim.








