Ish-kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, dhe ushtruesja e detyrës së kryetares së kësaj partie, Vlora Çitaku, janë parë duke hyrë në objektin e Qeverisë së Kosovës, ku, sipas informacioneve, kanë zhvilluar një takim me kryeministrin Albin Kurti.
Takimi nuk ishte paralajmëruar paraprakisht.
Pas përfundimit të takimit, Hamza nuk ka dhënë detaje për diskutimet me kryeministrin Kurti, duke iu referuar ushtrueses së detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, për të folur lidhur me këtë çështje.
Megjithatë, Hamza ka komentuar vizitën e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, në Kosovë, duke thënë se ai po përballet sërish me një proces që, sipas tij, është i padrejtë.
Hamza ka deklaruar se Krasniqi ka kaluar gjashtë vjet në burg dhe se do të duhej të ishte pranë familjes së tij, veçanërisht duke marrë parasysh gjendjen shëndetësore të bashkëshortes.
“Është prapë duke u përballur me një vendim të padrejtë. Gjashtë vjet i burgosur, tash prapë duke u ballafaquar me një proces pa fakte, por vetëm me thashetheme. E ka bërë edhe moshën dhe ka ardhur në një gjendje ku bashkëshortja e tij nuk është mirë me shëndet. Jam i bindur se secili qytetar e di që ai është dashur të jetë në shtëpinë e vet, me familjen e tij”, ka deklaruar Hamza, duke komentuar vizitën e Jakup Krasniqit në Kosovë.







