Profesori universitar, Nexhmedin Spahiu ka vlerësuar se miratimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara nuk është në të mirë të Kosovës, por as nuk i ndihmon ish-krerët e UÇK-së të dënuar në shkallën e parë në Hagë.
Ai ka thënë se ndonëse ligji juridikisht mund të duket në rregull, politikisht është e gabuar.
“Nuk është mirë të procedohet, por nuk është mirë të procedohet. Nuk i ndihmon as një gjë ata që janë në Hagë, përkundrazi, ua rendon situatën, e dytë e bënë shtetin e Kosovës jo serioz. Ligji mund të jetë në rregull në aspektin juridik, por politikisht janë duke gabuar”, ka thënë ai në emisionin “InfoNata” në Tëvë1.
Spahiu ka theksuar se me këtë ligj PDK e dëmton edhe veten, duke theksuar se të vetëm gjë “pozitive” nga ky ligj është edhe linja e përgjegjësisë për Albin Kurtin.
“Me këtë ligj PDK nuk i ndihmon ata në Hagë, e rëndon vetveten, nuk i ndihmon Kosovës. E vetmja gjë çka munden me arrit nëse e shtyjnë këtë ligjin, është me “ngul” edhe Albin Kurtin dhe nëse bëhet e merr përgjegjësinë, e merr edhe presidentja kur e nënshkruan”, ka thënë ai.
Kuvendi i Kosovës të premten do ta ketë në rend dite Ligjin për Specialen pas kthimit në Kuvend.
PDK ka theksuar se dëshiron që ligji të miratohet në formën që është edhe pse vet kishte kërkuar nga presidentja Shiroka-Pula.
Për miratimin e këtij ligji për herë të parë, por edhe kthimin e tij në rend dite në Kuvend ka pasur reagime të ashpra nga Bashkimi Evropian.




