Drejtori i ri Rajonal i Policisë në Ferizaj, Nënkolonel Remzi Azemi, ka mbajtur një takim informues dhe koordinues me shefat e sektorëve dhe komandantët e stacioneve policore të rajonit të Ferizajt.
Gjatë takimit janë diskutuar prioritetet dhe sfidat e punës policore, përgatitjet për sezonin dimëror, siguria në trafik, trajtimi i rasteve të dhunës në familje, luftimi i veprave penale kundër pasurisë, si dhe parandalimi i dukurive negative te të rinjtë.
“Vëmendje e veçantë i është kushtuar sigurisë në shkolla, aktiviteteve vetëdijësuese, disiplinës dhe përgjegjësisë zyrtare, si dhe bashkëpunimit me institucionet lokale për përballimin e sfidave gjatë sezonit dimëror”, thuhet në komunikatë.
Në këtë takim u theksua rëndësia e bashkëpunimit dhe koordinimit ndërmjet njësive policore, përcaktimit të detyrave konkrete dhe raportimit periodik për rezultatet e arritura.
Drejtori Rajonal, Nënkolonel Remzi Azemi, theksoi rëndësinë e rritjes së efikasitetit policor, përgjegjësisë profesionale dhe angazhimit të përbashkët në funksion të garantimit të sigurisë publike dhe ofrimit të shërbimeve cilësore për të gjithë qytetarët e rajonit të Ferizajt./teve1.info/




