Mbledhja e Komisionit Hetimor për veprimet dhe mosveprimet institucionale në rastin e Arlinda Zekajt ka nisur me kohë.
E diskutimet u shoqëruan me përplasje verbale mes deputetëve.
Mbledhja nisi me pyetjet e deputetit të PDK-së, Eman Rrahmani, drejtuar ekspertit Skender Kandiq, të cilin e pyeti nëse kishte konflikt interesi, duke qenë se kishte qenë pjesë e Qendrës për Punë Sociale.
“Eksperti Skender Kandiq me na tregu nëse nuk ka konflikt interesi, unë sa e di ke qenë pjesë e QPS-së atje”, tha deputeti i PDK-sw, Eman Rrahmani.
Ndërkaq, Kandiq mohoi të ketë konflikt interesi, duke sqaruar përvojën e tij profesionale.
“Unë para luftës kam punuar me QPS, pas luftës kam qenë drejtor në spitalin regjional, nuk kam asnjë konflikt interesi”, u shpreh ai.
Kjo pyetje nxiti përplasje verbale mes deputetit të PDK-së, Eman Rrahmani, dhe deputetit të LVV-së, Armend Baloku.
“Ka pasur mundësi ta shqyrtonte CV-në e ekspertit para votimit të tij”, u shpreh deputeti Baloku.
Pas kësaj, komisioni vazhdoi me intervistimin e zyrtarëve institucionalë.
Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, tha se gjatë mandatit të tij është angazhuar për krijimin e kushteve më të mira për punën e Qendrës për Punë Sociale.
“Jam mundu me siguru mjetet dhe kushtet për punë sociale, e cila një kohë të gjatë nuk ka qenë në kushte të mira, ka ndërruar edhe objekte. Në vitin 2022 kemi ndërtu një objekt të ri”, tha kryetari i Pejës.
Muhaxheri tha se për rastin e Arlinda Zekajt ishte informuar fillimisht përmes mediave.
“Prej mjeteve të informimit. Kam kërkuar informata prej asistentes ose shefit të kabinetit. Ka deklaru që ka ndodh një rast tragjik”, u shpreh ai.
Ndërkaq, udhëheqësi i Qendrës për Punë Sociale në Pejë, Durim Kelmendi, bëri të ditur se në rastin e Arlinda Zekajt kishte munguar plani individual.
“Për rastin konkret ka munguar plani”, tha Kelmendi.
Në vazhdim, deputetja e LVV-së, Arjeta Rexhepi, ngriti çështjen e një ankese që, sipas dokumenteve të siguruara nga komisioni, Arlinda Zekaj e kishte adresuar në Qendrës për Punë Sociale.
“Kemi një email nga Departamenti i Mirëqenies Sociale, ku është drejtuar një ankesë nga e ndjera Arlinda ndaj jush. Për çka bëhet fjalë?”, pyeti ajo.
Lidhur me këtë, zyrtari i Qendrës për Punë Sociale, Shpat Morina, tha se thirrja e psikologes nuk ishte obligim i këtij institucioni, ndërsa përmendi edhe kërkesën për mbrojtësin e viktimave.
“Për atë që e them për psikologen që nuk e kemi thirrur dhe që nuk është obligim i yni. Ka kërkuar mbrojtësin e viktimave, nuk më kujtohet, nuk është kompetencë e jona”, u shpreh Morina.
Në këtë mbledhje intervistim pati edhe Shpresa Lukaj, drejtuese e Qendrës për Punë Sociale në Pejë.
Ndërkaq, me dyer të mbyllura u intervistua vetëm Toska Gega, menaxhere e rastit në Qendrën për Punë Sociale në Pejë.






