Gjashtë raste u trajtuan në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Tre prej tyre me akuza për krime lufte, dhe tre me akuza për pengim të drejtësisë.
Së fundi, epilog nga shkalla e parë e gjyqësorit mori çështja për pengim të drejtësisë, me të akuzuar Hashim Thaçi, Isni Kilaj, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi.
Me këtë rast, janë përmbyllur të gjitha çështjet e kësaj Gjykate në shkallë të parë.
Por, a mund t’i hap kjo rrugë përfundimit të mandatit të Speciales?
“Meqenëse hetimet kanë zgjatë për një periudhë të gjatë kohore, të njëjtat kanë përfundu dhe kanë rezultu me ngritjen e disa aktakuzave, ku këto aktakuza janë shqyrtu dhe kemi disa vendime gjyqësore, tani kemi edhe rastin e fundit për ndikim në drejtësi. Konsideroj se janë plotësuar kushtet në rend të parë kushtetuese që mandati i kësaj Gjykate të shkojë kah përfundimi”, thotw avokati Kadri Osaj.
Mirëpo, po konsiderohet se zgjatja e mëtejshme e mandatit të Speciales, u bën favor prokurorëve dhe gjyqtarëve.
“Këta janë të interesum me zgjatë jetën e kësaj gjykate vet gjyqtarët dhe prokurorët, për shkak se kanë një jetë shumë luksozë, një jetë me pagesa jashtëzakonisht të mëdha, kështu që ata janë të interesum që sa më gjatë të ekzistojë kjo gjykatë, në mënyrë që edhe ata të vazhdojnë këtë jetë pa kurfarë llogaridhënie e pa kurfarë përgjegjësie”, shprehet Hasan Shala –avokat.
Në të gjashtë rastet e trajtuara nga ana e Gjykatës Speciale, kishte aktgjykime dënues, me përjashtim të Isni Kilaj, i cili u lirua nga akuza për pengim të drejtësisë.






