Ish-kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka komentuar çështjen e Ligjit për Dhomat e Specializuara, i cili është rikthyer sërish në Kuvendin e Kosovës, duke shprehur qëndrimin e tij lidhur me mënyrën se si është proceduar me këtë çështje dhe reagimet e faktorit ndërkombëtar.
Në një intervistë në emisionin “Mesditë” në Teve1, Pacolli ka folur edhe për qëndrimin e Bashkimit Evropian lidhur me këtë ligj, duke përfshirë sinjalet se ndryshimet e propozuara mund të ndikojnë në procesin e integrimit evropian të Kosovës.
Ai ka thënë se Kosova tash e 15 vjet përballet me kërkesa dhe kushte të ndryshme nga faktori ndërkombëtar, por sipas tij, vendi duhet të ketë parasysh edhe obligimet që ka përmbushur në ndërtimin e shtetit të së drejtës.
Pacolli ka vlerësuar se, para se të procedohej me një ligj të tillë, është dashur të zhvilloheshin konsultime më të gjera, jo vetëm me faktorin e brendshëm politik, por edhe me partnerët ndërkombëtarë të Kosovës.
Sipas tij, Kosova ka shumë miq brenda dhe jashtë Evropës, të cilët është dashur të konsultoheshin dhe të jepnin kontributin e tyre para se të merrej një vendim i kësaj rëndësie.
“Unë qe 15 vjet e këndej i dëgjoj këta zëra. Ne jemi kushtëzuar edhe me gjëra të tjera, pothuajse kanë qenë problem i përditshëm. Ne i kemi kryer obligimet tona dhe kemi arritur të krijojmë një shtet të së drejtës për secilin qytetar të Kosovës”, ka deklaruar Pacolli.
Ai ka theksuar se mënyra se si është vepruar në disa raste mund të jetë nxituar, duke përmendur edhe procedurat që kanë të bëjnë me formimin e institucioneve të Kosovës.
Lidhur me Ligjin për Specialen, Pacolli ka thënë se ngutia në procedimin e tij e ka shqetësuar, duke vlerësuar se një çështje e tillë është dashur të analizohej më hollësisht dhe të trajtohej përmes konsultimeve të gjera.
“Është dashur të konsultohemi së pari me faktorin e brendshëm dhe nuk është dashur të lihet anash as faktori i jashtëm. Kosova ka shumë miq sot, edhe brenda Evropës, edhe jashtë saj. Këta njerëz që kanë mundur të japin një kontribut është dashur të konsultohen”, ka thënë ai.
Pacolli ka shtuar se, tani që ligji është rikthyer në Kuvend, institucionet duhet ta shfrytëzojnë këtë mundësi për ta rishikuar dhe përmirësuar atë, në mënyrë që ndryshimet të jenë në përputhje me nevojat e vendit dhe të mos bien ndesh me obligimet e Kosovës.
Ai ka bërë thirrje që të merret kohë e mjaftueshme për përgatitjen e një versioni të ri, duke përfshirë në proces edhe mendimet e personave me përvojë në këtë fushë.
“Unë them që të marrim kohë dhe ta përgatisim një ligj si duhet, ta ndryshojmë në atë mënyrë si duhet. Secili njeri që ka pak përvojë mund ta japë mendimin e vet, por duhet të bëhet një sintezë. Është gabim ta riprovojmë prapë ashtu. Edhe ky ligj duhet të rishikohet dhe të bëhen ndryshimet që nuk shkojnë në kundërshtim”, ka deklaruar Pacolli.
Në fund, qëndrimi i tij është se ndryshimet në Ligjin për Specialen duhet të trajtohen me kujdes, përmes një procesi të mirëfilltë konsultimi dhe pa veprime të nxituara.








