Shqipëria ka kërkuar të pajiset me dy sisteme të artilerisë raketore M142 HIMARS dhe Departamenti Amerikan i Shtetit ka miratuar shitjen e mundshme dhe ka njoftuar Kongresin amerikan.
Lajmin e ka bërë të ditur në rrjetet sociale ministri i mbrojtjes Ermal Nufi, sipas të cilit, paketa e propozuar është me vlerë të përllogaritur prej 210 milionë dollarë.
Ajo përfshin edhe municione, trajnim për ushtarakët shqiptarë dhe mbështetje për mirëmbajtjen e sistemeve.
Për financimin e saj parashikohet një kredi nga programi amerikan i financimit ushtarak – FMF.
Në një postim në rrjetet sociale ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi tha se me këto sisteme, Forcat e Armatosura të Shqipërisë do të fitonin aftësinë për të vepruar me saktësi në distanca të gjata, duke forcuar mbrojtjen e vendit dhe kontributin në NATO.
“E mirëpresim këtë hap në bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara. Me këto sisteme, Forcat e Armatosura të Shqipërisë do të fitonin aftësinë për të vepruar me saktësi në distanca të gjata, duke forcuar mbrojtjen e vendit dhe kontributin tonë në NATO”, ka thënë ministri Nufi në rrjetet sociale.









