Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka pritur në takim lamtumirës ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, me rastin e përfundimit të mandatit të tij.
Në takim ishte i pranishëm edhe sekretari për politika programore i PDK-së, Bajrush Xhemajli.
Çitaku e falënderoi ambasadorin Malaj për bashkëpunimin dhe kontributin në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, duke i uruar suksese në detyrën e re si ambasador i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut.
Nga ana e tij, Malaj shprehu mirënjohje për bashkëpunimin me PDK-në dhe vlerësoi rolin e kësaj partie në historinë e Kosovës. Ai gjithashtu i uroi Çitakut suksese në përgjegjësinë e re në krye të PDK-së.
Gjatë takimit u diskutua edhe për perspektivën euroatlantike të Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe për proceset integruese evropiane të të dyja vendeve.
Një pjesë e diskutimit iu kushtua edhe procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë. Sipas njoftimit, në takim u shpreh solidaritet me ta dhe u theksua rëndësia e një procesi të drejtë dhe të paanshëm.
Çitaku ka riafirmuar se PDK-ja do të qëndrojë pranë ish-krerëve të UÇK-së gjatë procesit të apelit, duke shprehur besimin se kjo fazë do të përfundojë me rrëzimin e aktgjykimit të shkallës së parë dhe lirimin e tyre.







