Inspektorati Policor i Kosovës ka arrestuar një zyrtar policor nga Stacioni Policor në Ferizaj, nën dyshimin për përfshirje në aktivitete të kundërligjshme, përfshirë organizimin e bixhozit të paligjshëm dhe shitblerjen e armëve.
Sipas njoftimit të IPK-së, hetimet lidhen edhe me dyshimet për organizim të skemave piramidale, posedim të paautorizuar të armëve dhe përdorim të armës apo mjeteve të rrezikshme.
Në kuadër të këtij rasti, hetuesit kanë bastisur shtatë lokacione, ku kanë sekuestruar dy armë të shkurtra, një armë të gjatë gjuetie, dy thika dhe municion të llojeve të ndryshme.
Sipas dyshimeve fillestare, zyrtari policor, jashtë detyrës zyrtare, gjatë vitit 2026 ishte përfshirë në organizimin e bixhozit të paligjshëm përmes platformave online. Po ashtu, dyshohet se kishte poseduar një armë të gjatë të tipit Kallashnikov, të cilën më pas ia kishte shitur një personi tjetër.
Për këtë rast janë intervistuar edhe gjashtë persona të tjerë, të dyshuar për veprën penale “Shitblerja e armëve”.
Me vendim të prokurorit, zyrtarit policor i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, ndërsa IPK i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e tij deri në përfundim të procedurave përkatëse.







