Pavarësisht ndryshimit të motit dhe reshjeve të borës në disa zona malore, qarkullimi në rrugët që çojnë drejt pikave të kalimit kufitar në Kosovë paraqitet pa probleme.
Sipas raportit të përditësuar më 18 nëntor, në orën 07:13, të gjitha akset rrugore të evidentuara janë të kalueshme dhe nuk raportohet për dëborë, akull, mjegull apo rrëshqitje të dheut.
Vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe rrugës Pejë–Kullë, e cila kalon nëpër zonë malore dhe gjatë sezonit të dimrit shpesh përballet me vështirësi për shkak të kushteve atmosferike. Megjithatë, sipas të dhënave aktuale, edhe ky segment është i kalueshëm.
Gjendje e mirë raportohet edhe në pikat e tjera kufitare, përfshirë Merdarën, Jarinjën, Bërnjakun, Vërmicën, Hanin e Elezit, Dheu i Bardhë dhe pikat e tjera të kalimit kufitar.
Megjithatë, drejtuesit e automjeteve këshillohen të tregojnë kujdes gjatë qarkullimit, veçanërisht në rrugët malore, për shkak të ndryshimeve të mundshme të motit.







