Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Ermal Nufi, është takuar këtë të martë në Bruksel me homologun e tij nga Kosova, Ejup Maqedonci, në kuadër të përgatitjeve për Takimin e 37-të të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës (UDCG).
Takimi u zhvillua në Selinë e NATO-s, ku ministri shqiptar, përmes një postimi në rrjetet sociale, rikonfirmoi mbështetjen e Shqipërisë për integrimin euroatlantik të Kosovës.
Nufi, nëpërmjet një njoftimi në rrjetet sociale theksoi se anëtarësimi i Kosovës në NATO përbën një rëndësi strategjike për sigurinë dhe stabilitetin në rajon, si dhe për parandalimin e konflikteve dhe shmangien e rreziqeve të reja të sigurisë në Evropë.
“Me homologun dhe mikun nga Kosova, Ejup Maqedonci, sot para Takimit të 37-të të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës. Kosova në NATO është nevojë strategjike për forcimin e stabilitetit rajonal, parandalimin e konflikteve dhe shmangien e rrezikut të hapjes së fronteve të reja të pasigurisë në Evropë”, ka deklaruar Nufi Nëpërmjet një njoftimi në rrjetet sociale
Ai ka bërë të ditur se Shqipëria do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën përmes angazhimit diplomatik dhe ushtarak, në të gjitha forumet dhe nivelet e bashkëpunimit euroatlantik.
“Këtë aspiratë, Shqipëria do ta mbështesë me vendosmëri, në çdo forum dhe në çdo nivel të bashkëpunimit euroatlantik. Një NATO më e fortë në Ballkan do të thotë edhe një Evropë më e sigurt\!”, ka theksuar ministri shqiptar./teve1.info/







