Amerikania e Bashkimit të Prizrenit, Nyla Jean e ka fituar epitetin e basketbollistes më të mirë për xhiron e fundit në Superligë.
Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK), ka njoftuar të mërkurën se Jean është shpallur “MVP i Javës” për xhiron e gjashtë të kampionatit.
Jean shkëlqeu në fitoren e Bashkimit 80:72 ndaj Penzës me 29 pikë, 6 kërcime e 5 asistime dhe kjo është hera e dytë brenda pak javësh që shpallet MVP.
Jean gjithashtu është përfshirë edhe në pesëshen më të mirë, e cila përbëhet nga pesë amerikane pasi pjesë e saj janë edhe Nyshea Weaver e Penzës, si dhe treshja e Peja 03, Camryn Hill, Alexis Tolefree e Zutorya Cook.
Weaver regjistroi 20 pikë, 11 kërcime e 6 asistime në disfatën e Penzës kurse Hill, Tolefree e Cook ishin më të merituarat për triumfin e Peja 03 kundër Trepçës.
Hill pati 29 pikë, 11 kërcime e 2 asistime, Tolefree shtoi 25 pikë, 7 kërcime e po aq asistime kurse Cook e mbylli ndeshjen me 22 pikë e 14 kërcime.









