Selektori i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda pritet t’i bëjë disa ndryshime në formacion për ndeshjen vendimtare kundër Irlandës.
Në të vërtetë, Foda pritet ta ndryshojë edhe sistemin e lojës për dallim me ndeshjen kundër Izraelit pasi në Dublin do të paraqitet me formacionin 3-5-2.
Ndryshimet në formacion pritet të nisin nga porta, ku në vend të Amir Saipit që u aktivizua në ndeshjen e fundit, startues në Dublin do të jetë Arijanet Muriq.
Në qendër të mbrojtjes, do të vendosen Lindrit Kamberi, Ilir Krasniqi dhe me gjasë Bleon Kurtulus në vend të Kreshnik Hajrizit.
Para tyre, në formacionin bazë pritet të kthehet Lindon Emërllahu kurse në krah do të jenë Dion Gallapeni e Mërgim Vojvoda, të cilët do ta ndihmojnë edhe mbrojtjen edhe sulmin.
Në qendër të mesfushës do të jetë dyshja Elvis Rexhbeçaj e Leon Avdullahu kurse sulmit do t’i prijnë Vedat Muriqi me Fisnik Asllanin.




