Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Kinës, Mao Ning, deklaroi të hënën se takimi trepalësh mes udhëheqësve të Kinës, SHBA-së dhe Rusisë, i planifikuar për të enjten, do të jetë takimi i parë ballë për ballë mes liderëve të të tre vendeve.
Gjatë një konference për shtyp, disa orë pasi Pekini konfirmoi zhvillimin e takimit, Ning bëri të ditur se udhëheqësit do të zhvillojnë “shkëmbime të thella mbi ruajtjen e paqes botërore dhe promovimin e stabilitetit strategjik në marrëdhëniet midis fuqive të mëdha”.
Ajo theksoi se forcimi i komunikimit, menaxhimi i dallimeve dhe ruajtja e marrëdhënieve të qëndrueshme janë në interes të të tre vendeve, si dhe përmbushin pritshmëritë e bashkësisë ndërkombëtare.
Megjithatë, Ning nuk konfirmoi nëse në agjendën e takimit do të përfshihen diskutimet për kontrollin e armëve bërthamore dhe luftën në Iran.
Takimi pritet të mbahet të enjten, në kuadër të samitit të liderëve të APEC-ut, që do të zhvillohet në një qytet në jug të Kinës. Kremlini dhe Shtëpia e Bardhë e kanë konfirmuar më herët zhvillimin e takimit trepalësh.
Kina ka kundërshtuar më parë përfshirjen në negociatat për armët bërthamore me Rusinë dhe SHBA-në, dy vendet që zotërojnë arsenalet më të mëdha bërthamore në botë.
Megjithatë, presidenti amerikan Donald Trump ka shprehur dëshirën për të diskutuar çështjen e denuklearizimit, si dhe luftën SHBA-Izrael në Iran. Kina, e cila është një nga partnerët kryesorë ekonomikë të Teheranit, është përpjekur të ndërmjetësojë në konflikt dhe ka deklaruar se shmangia e rikthimit të armiqësive mbetet një “prioritet kryesor”, shkruan Guardian.
Ndërkohë, në Kiev ekziston shqetësimi se pushtimi rus i Ukrainës mund të mos jetë pjesë e diskutimeve, pavarësisht se presidenti rus Vladimir Putin thuhet se dëshiron ta ngrejë këtë çështje.
Sipas zyrtarëve amerikanë, Trump nuk pritet ta përfshijë çështjen e Ukrainës në bisedimet trepalëshe./teve1.info/




