Një grua ka vdekur në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit të cilës i ishte përkeqësuar gjendja shëndetësore përderisa ishte duke filluar intervistimin në polici.
Ajo ishte në veturë më një person të dyshuar për posedim të narkotikve i cili ishte ndaluar në Vërmicë me veturën e tij BMË.
Policia ka bërë të ditur se gruas tashmë të vdekur i ishte ofruar ndihma mjekësore menjëherë pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore.
“Sipas procedurës palëve u është caktuar avokati mbrojtës, ku pas intervistimit me vendim të prokurorit të dyshuarit mashkull kosovar i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, ndërsa e dyshuara femër kosovare përderisa ka qenë duke filluar intervistimi me prezencë të avokatit mbrojtës, i është përkeqësuar gjendja shëndetësore, ku edhe është kërkuar ndihma emergjente nga Spitali i Përgjithshëm Rajonal në Prizren. Pas ofrimit të ndihmës së parë mjekësore në vend, nga emergjenca ajo është transportuar në Spitalin e Përgjithshëm për trajtim të mëtejshëm mjekësor, ku nga mjekët kompetentë, rreth orës 01:30, Policia është informuar se personi në fjalë ka ndërruar jetë”, thuhet nga Policia e Kosovës.
Sa i përket drejtuesit të veturës, Policia ka bërë të ditur se në veturën e tij janë gjetur dhe konfiskuar 105.7 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë, dy fishekë të kalibrit 9×19 mm, dhe dy telefona celularë
Policia ka bërë të ditur se me urdhër të prokurorit kompetent është bastisur shtëpia e të dyshuarit mashkull kosovar, me ç‘rast është gjetur dhe është konfiskuar një detektor për identifikimin e GPS dhe kamerave.




