Takimi i planifikuar në Athinë ndërmjet përfaqësuesve të Kosovës dhe Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare, lidhur me organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, është anuluar, ka shkruar të hënën kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.
Mungesa e përgjigjeve, mos përmbushja e obligimeve dhe moskonfirmimi me kohë i delegacionit janë përmendur si arsyet që kanë çuar në anulimin e takimit.
Takimi në Athinë ishte paraparë si një mundësi për të diskutuar problemet që e kanë përcjellë procesin e përgatitjeve për organizimin e kësaj ngjarjeje sportive.
Në mbledhjen e 17-të të Bordit Ekzekutiv, Komiteti Olimpik i Kosovës kishte njoftuar se në javët në vijim pritej të mbahej një takim me përfaqësuesit e ICMG-së në Athinë. Delegacioni i Kosovës ishte paraparë të përbëhej nga gjashtë përfaqësues, dy nga Qeveria, dy nga Komuna e Prishtinës dhe dy nga Komiteti Olimpik i Kosovës.
KOK-u kishte paralajmëruar se ende ekzistonte rreziku që Kosova ta humbiste të drejtën e organizimit të Lojërave Mesdhetare të vitit 2030.
Rama gjithashtu ka kërkuar llogari nga kryeministri Albin Kurti dhe Qeveria e Kosovës lidhur me anulimin e takimit në Athinë për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”.









