Jeton Zulfaj, Kryenegociator i Kosovës me Bashkimin Evropian ka reaguar lidhur me interpretimin e një kënge serbe kundër Kosovës në prag të Forumit të Zgjerimit të BE-së.
Zulfaj ka thënë se janë të tronditur dhe të indinjuar nga raportimet për atë që ka ndodhur sonte në Bruksel, gjatë një aktiviteti të BE-së për Zgjerimin.
Ai ka thënë se kjo është skandaloze dhe se në aktivitetin e Bashkimit Evropian nuk duhet t’i jepet hapësirë nacionalizmit serb.
Në një postim në X ai ka thënë se presin shpjegim nga Komisionerja Marta Kos.
“Një këngë nacionaliste serbe, që mohon shtetësinë e Kosovës dhe që është shkruar në kohën kur kasapi i Ballkanit, Millosheviqi, po i shfuqizonte të drejtat e Kosovës dhe po shtypte popullin tonë, është interpretuar në hapje të Forumit të Zgjerimit të BE-së. Kjo është skandaloze dhe e papranueshme. Një aktivitet i Bashkimit Evropian për zgjerimin nuk mund t’i japë hapësirë nacionalizmit serb. Presim që Komisionerja Kos të shpjegojë se si ka ndodhur kjo, çfarë masash do të ndërmarrë për këtë çështje dhe pse Kosova nuk ishte e ftuar, ndonëse është vendi me përparimin më të madh demokratik në Ballkanin Perëndimor gjatë kësaj dekade dhe plotësisht e harmonizuar me politikën e jashtme dhe vlerat e Bashkimit Evropian”, ka shkruar ai./teve1.info/







