Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me presidentin e Konfederatës së Zvicrës, Guy Parmelin, në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian (EPC).
Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka bërë të ditur se gjatë takimit kanë diskutuar për marrëdhëniet e mira ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës, si dhe për bashkëpunimin mes dy vendeve.
Ai ka theksuar se lidhjet e forta të mërgatës kosovare me popullin dhe shtetin zviceran kanë kontribuar në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe.
“Jemi mirënjohës për kontributin e Zvicrës, me të cilën muajin e kaluar nisëm një kapitull të ri bashkëpunimi, me rastin e hyrjes në fuqi të Marrëveshjes për Tregti të Lirë (EFTA), që përfshin edhe shërbimet përveçse mallrat”, ka shkruar Kurti.
Kryeministri e ka cilësuar takimin si një mundësi për të diskutuar mbi vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve.








